Deputeti Adnan Azizi ka reaguar përmes një shkrimi publik lidhur me debatet rreth identitetit, duke theksuar se përpjekjet për t’i vendosur fenë dhe kombin përballë njëri-tjetrit përbëjnë një rrezik për unitetin kombëtar dhe mohojnë realitetin historik të shqiptarëve.
Në shkrimin e tij, Azizi vlerëson se ashtu si njeriu përbëhet nga trupi dhe shpirti, edhe identiteti i shqiptarit nuk mund të copëtohet duke ndarë njërën prej shtyllave të tij kryesore. Ai ka kujtuar traditën e çmuar të harmonisë dhe tolerancës ndërfetare në trojet tona, duke e cilësuar atë si një pasuri që nuk duhet të lejohet të keqpërdoret për përçarje.
“Tendenca për t’i paraqitur shqiptarët myslimanë si ‘antishqiptarë’ është një qasje e rrezikshme që dëmton unitetin tonë. Antishqiptarizmi nuk është pjesë e besimit të shqiptarit, qoftë mysliman, katolik apo ortodoks,” – shkruan deputeti Azizi, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë ta përdorë fenë si kriter për të përcaktuar patriotizmin e dikujt.
Duke iu referuar përpjekjeve për ta paraqitur kombin kundër fesë, ai ka theksuar se persona të tillë ose nuk e njohin historinë e shoqërisë sonë, ose i shërbejnë agjendave që dëmtojnë interesat e shqiptarëve. Në fund të mesazhit të tij, Azizi bën thirrje që shqiptarët të mbeten përgjithmonë shembull i bashkëjetesës dhe të mos bien pre e propagandës apo interesave të ngushta.

