
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, teksa ka nisur tubimet në fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, ka thënë se Kosova qëndron në udhëkryqin më të madh politik dhe ekzistencial që nga themelimi i saj.
Lideri i LDK-së, në turneun të cilin e kanë quajtur të ndryshimit në Prishtinë, tha se LDK-ja është ngritur në këmbë dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë.
“Kur gjërat shkojmë keq dhe mbrapsht dhe kur eksperimentet përfundojnë ata kanë një adresë dhe kanë një drejtim dhe një shtëpi të vetme – Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK-ja është ngritur në këmbë dhe kur LDK-ja ngrihet më këmbë s’ka asgjë që e ndalë. Kosova qëndron në udhëkryqin më të madh politik dhe ekzistencial që nga themelimi i saj. Në këtë udhëkryq duhet të kuptohet edhe zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi bëhen për të përcaktuar fatin e Kosovës. Bëjmë thirrje për ndryshim të madh politik në Kosovë, thirrje për ndryshim për rrugën e re të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai, raportoi KSP-ja.
Ndërsa, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, akuzoi Qeverinë e Albin Kurtit për izolim të Kosovës.
“Kemi humbur katër vjet, 12 miliardë buxhet dhe kemi humbur të gjithë aleatët tonë. Sot jemi vend nën sanksione të BE-së për shkak të politikave të kësaj qeverie. Zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhje mes demokracisë dhe autokracisë. Janë zgjedhje ndërmjet integrimit dhe izolimit, janë zgjedhje ndërmjet zhvillimit dhe regresit”, tha ajo.