KF Bashkimi nga Kumanova këtë të premte, më 27 nëntor, do të përballet me KF Skopjen nga Autokomanda, në një ndeshje tejet të rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit, raporton tvfesta.mk.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Bashkimi 1947” në Kumanovë, me fillim në orën 13:00.
Zigjelbërit hyjnë në këtë përballje me një formë të shkëlqyer, pas dy fitoreve dhe një barazimi në tri ndeshjet e fundit, duke grumbulluar shtatë pikë nga nëntë të mundshmet.
Aktualisht, Bashkimi renditet në pozitën e tetë me 14 pikë, po aq sa Bregallnica e Shtipit në vendin e shtatë, ndërsa Skopje ndodhet në pozitën e fundit me shtatë pikë.
Një fitore ndaj Skopjes do t’i mundësonte Bashkimit të thellonte diferencën ndaj kundërshtarit në dhjetë pikë dhe të largohej edhe më shumë nga zona e rrezikut për rënie nga liga.
Nga klubi kumanovar e kanë cilësuar këtë përballje si ndeshjen më të rëndësishme të këtij gjysmësezoni, duke kërkuar mbështetje maksimale nga tifozët.
“Si vendas, presim përkrahjen maksimale nga ju, të dashur kumanovarë. Së bashku, drejt objektivit! Kumanova një e ka!”, thuhet në njoftimin e KF Bashkimit.
Në prag të festës së 28 Nëntorit, KF Bashkimi synojnë t’u dhurojnë tifozëve kumanovarë një tjetër fitore dhe të vazhdojnë me rezultatet pozitive në kampionat. /tvfesta

