LAJME

Shaini në TV Festa: Gratë shqiptare mund të udhëheqin edhe partitë politike

“Përderisa gruaja është shtyllë e familjes, ajo mund të jetë edhe shtyllë e shtetit.” Me këtë mesazh, zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, kërkoi përfshirje më të madhe të grave shqiptare në politikë dhe në pozitat vendimmarrëse.

Gjatë intervistës në Podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, ajo theksoi se gratë nuk duhet të shihen vetëm si pjesë e kuotave të përcaktuara me ligj, por si kandidate të afta për të udhëhequr institucione dhe parti politike.

Shaini ngriti pyetjen se përse gratë shqiptare nuk marrin më shpesh pozitat udhëheqëse në listat zgjedhore.

“Pse mos të jetë një grua bartëse e listës?”, pyeti ajo.

Sipas saj, gratë shqiptare sot kanë përgatitje akademike, përvojë profesionale dhe kapacitete të mjaftueshme për të ushtruar përgjegjësi të larta shtetërore.

Ajo theksoi se përfaqësimi i grave nuk duhet të kufizohet vetëm në respektimin formal të kuotave zgjedhore.

Duke folur për përfaqësimin aktual, Shaini përmendi se koalicioni i saj ka shtatë deputete dhe dy zëvendësministre gra, por vlerësoi se hapësira për gratë mund dhe duhet të zgjerohet.

Ajo mori si shembull edhe Kosovën, ku gratë kanë mbajtur pozita të larta shtetërore, duke kërkuar që një qasje e ngjashme të ndiqet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Zëvendësministrja theksoi se gjatë karrierës së saj politike ka pasur mundësi të ushtrojë funksione të rëndësishme, përfshirë pozitën e deputetes dhe nënkryetares së Alternativës.

Megjithatë, ajo kërkoi që edhe grave të tjera t’u jepet mundësia të dëshmojnë aftësitë e tyre në vendimmarrje.