Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës shqiptare se shqiptarët nuk kanë ndikim real në vendimmarrjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Në një intervistë për Podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Shaini deklaroi se përfaqësuesit shqiptarë në pushtet kanë rol aktiv në vendimmarrje dhe në realizimin e projekteve institucionale.
“Shqiptarët e vetëm të cilët nuk kanë vendimmarrje reale janë opozita”, deklaroi ajo.
Sipas saj, kritikat e opozitës lidhen kryesisht me faktin se ajo nuk është më pjesë e pushtetit pas vitit 2024.
Shaini përmendi rezultatet e koalicionit VLEN në zgjedhjet lokale, duke vlerësuar se mbështetja e qytetarëve dëshmon besimin ndaj përfaqësuesve të këtij koalicioni.
Ajo iu referua gjithashtu bilancit të prezantuar nga VLEN, sipas të cilit janë raportuar 100 milionë euro investime dhe mbi 1.200 projekte nëpër komuna.
Ndër projektet që përmendi ishin autostrada Shkup–Bllacë, Korridori 8 dhe investimet në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”.
Zëvendësministrja kritikoi opozitën edhe për qëndrimin ndaj ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili synon të zëvendësojë mekanizmin e mëparshëm të balancuesit.
Sipas saj, opozita shqiptare po e pengon miratimin e këtij ligji në Kuvend.
Shaini theksoi se VLEN do të vazhdojë angazhimin për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, duke e cilësuar punësimin dhe realizimin e projekteve si tregues të rëndësishëm të pjesëmarrjes në pushtet.

