KUMANOVË

Shaini: Nëna ime jetoi 50 vite pa shtetësi, e dija dhimbjen e mijëra qytetarëve

Një nga rrëfimet më personale të zëvendësministres së Sportit, Safije Sadiki Shaini, në Podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, ishte historia e nënës së saj, e cila për 50 vite kishte jetuar pa shtetësi.

Duke folur për periudhën kur ishte deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, nga viti 2020 deri në vitin 2024, Shaini kujtoi angazhimin për ndryshimet ligjore që synonin zgjidhjen e problemit të qytetarëve pa shtetësi.

Ajo tha se kjo çështje kishte një rëndësi të veçantë për të, pasi familja e saj ishte përballur drejtpërdrejt me këtë problem.

“Në mesin e atyre mijëra qytetarëve ishte dhe nëna ime, e cila për 50 vite nuk kishte shtetësi”, deklaroi Shaini.

Sipas saj, mungesa e shtetësisë u kishte shkaktuar vështirësi të shumta qytetarëve, të cilët për vite me radhë nuk kishin mundur të pajiseshin me dokumentin bazë që dëshmon përkatësinë shtetërore.

Zëvendësministrja kujtoi se iniciativa për ndryshimin e ligjit ishte ndërmarrë gjatë kohës kur ajo dhe bashkëpartiakët e saj ishin në opozitë.

Ajo e cilësoi këtë angazhim si një nga kontributet më të rëndësishme të mandatit të saj parlamentar.

Gjatë intervistës, Shaini foli edhe për përgjegjësinë që kishte ndier si deputete, duke theksuar se përfaqësimi i qytetarëve në Kuvend nuk duhet të kufizohet vetëm në debatet politike, por duhet të sjellë zgjidhje konkrete për problemet e tyre. /tvfesta