KUMANOVË

Shaini në TV Festa: Stadiumi ndihmës i Bashkimit do të rikonstruktohet, punimet vazhdojnë së shpejti

Rikonstruktimi i stadiumit ndihmës të Bashkimit në Kumanovë pritet të vazhdojë së shpejti, pas një ndërprerjeje të punimeve për shkak të procedurave administrative.

Këtë e bëri të ditur zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, gjatë intervistës në Podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa.

E pyetur se kur do të vazhdojnë punimet në këtë objekt sportiv, Shaini sqaroi se projekti ka nisur, por realizimi i tij është ngadalësuar për shkak të disa procedurave.

“Në Kumanovë ne filluam me rikonstruktimin e stadiumit ndihmës të Bashkimit. Mirëpo, për shkak të disa procedurave, ka ngecur pak puna. Ne do të vazhdojmë me punime së shpejti”, deklaroi ajo.

Sipas zëvendësministres, pas përfundimit të rikonstruktimit, stadiumi do të jetë në dispozicion të sportistëve të Kumanovës për zhvillimin e stërvitjeve, garave dhe aktiviteteve të ndryshme sportive.

Ajo përmendi edhe investimet e tjera të realizuara në rajon, përfshirë një fushë sportive multifunksionale në Kumanovë dhe vendosjen e tribunave në stadiumin “Abdulmexhid Shahini” në Likovë.

Shaini theksoi se investimet në infrastrukturën sportive mbeten ndër prioritetet e Ministrisë së Sportit.

Ndërkohë, ajo njoftoi se projekte të tjera në Bogovinë dhe Zhelinë ndodhen në fazë të avancuar të realizimit, ndërsa investime të reja pritet të shqyrtohen në programin e ministrisë për vitin 2027. /tvfesta