Kanë nisur aktivitetet për pastrimin e shtratit të lumit Kumanovka, i cili kalon nëpër qytetin e Kumanovës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, përmes një postimi në rrjetet sociale, raporton tvfesta.mk.
Sipas Dimitrievskit, aktivitetet kanë për qëllim përmirësimin e higjienës, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe rregullimin e rrjedhës së lumit.
“Kemi filluar me aktivitetet për pastrimin e shtratit të lumit Kumanovka. Me qëllim përmirësimin e higjienës, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe rregullimin e rrjedhës së lumit, janë duke u zhvilluar aktivitete për pastrimin e tij”, ka njoftuar Dimitrievski.
Kreu i Komunës së Kumanovës u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi më të madhe ndaj mjedisit dhe të mos hedhin mbeturina në lumë.
“Lumi nuk është vend për mbeturina! Të mos ndotim, por të bëhemi pjesë e ndryshimit! Së bashku të krijojmë një Kumanovë më të pastër dhe më të bukur!”, ka shkruar Dimitrievski.
Pastrimi i lumit Kumanovka vjen pas shqetësimeve dhe reagimeve të shumta lidhur me gjendjen e tij, pasi në pjesë të caktuara të shtratit të lumit ishin grumbulluar mbeturina, duke e kthyer atë në një deponi të improvizuar. /tvfesta

