Kryetari i Komunës së Kumanovës dhe njëherësh lideri i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, ka uruar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, përmes një postimi në rrjetet sociale, raporton tvfesta.mk.
Dimitrievski, i cili në të kaluarën ka mbajtur qëndrime kritike lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, këtë herë ka zgjedhur ta përcjellë urimin në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht.
“Честит Ден на Албанската Азбука! Urime Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, ka shkruar ai, duke publikuar edhe një fotografi historike të lidhur me Kongresin e Manastirit të vitit 1908.
Urimi i tij tërheq vëmendje pikërisht për shkak të qëndrimeve të mëparshme politike lidhur me çështjen e gjuhës shqipe dhe zbatimin e saj në institucionet e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, në postimin e tij me rastin e 22 Nëntorit, Dimitrievski nuk ka komentuar qëndrimet e mëparshme, por është kufizuar në një urim të shkurtër në të dyja gjuhët. /tvfesta

