LAJME

Ali Ahmeti takohet me Edi Ramën: Diskutuam për çështjet kombëtare

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku kanë diskutuar për çështjet me interes të përbashkët për shqiptarët, bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe perspektivën evropiane, raporton tvfesta.mk.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë e kësaj date për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.

“Sot pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe mikun tim, z. Edi Rama”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, integrimin evropian, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përballimin e sfidave të përbashkëta.

“Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi”, ka theksuar lideri i BDI-së.

Ahmeti ka nënvizuar se takimi merr një domethënie të veçantë për shkak se zhvillohet në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai ka rikujtuar rëndësinë historike të këtyre dy datave, duke theksuar se ato simbolizojnë sakrificat e brezave dhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe vlerave kombëtare.

“Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare”, është shprehur Ahmeti.

Në mesazhin e tij, kryetari i BDI-së ka bërë thirrje për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve, kudo që jetojnë, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për një të ardhme evropiane dhe të sigurt.

“Shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arsye dhe përgjegjësi të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë”, ka shkruar ai.

Në fund, Ahmeti ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

“Gëzuar 22 Nëntorin dhe le të na bashkojë gjithmonë fryma e Nëntorit shqiptar!”, ka përfunduar Ali Ahmeti.