LAJME

Arbër Ademi uron 22 Nëntorin: Ta ruajmë dhe ta kultivojmë gjuhën shqipe si vlerë të shenjtë të identitetit kombëtar

Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe nevojën për ruajtjen e kultivimin e gjuhës amtare, raporton tvfesta.mk.

Në mesazhin e tij të urimit, Ademi e ka cilësuar 22 Nëntorin si një ditë krenarie dhe kujtese kombëtare, duke rikujtuar se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 shënoi një nga momentet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

“22 Nëntori është ditë krenarie dhe kujtese kombëtare. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 i dha gjuhës shqipe alfabetin e njësuar, duke shënuar një kthesë historike për identitetin, arsimin dhe kulturën tonë”, ka theksuar Ademi.

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së ka bërë thirrje që gjuha shqipe të ruhet, të kultivohet dhe të afirmohet vazhdimisht, si një ndër vlerat më të rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar.

“Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta afirmojmë gjuhën shqipe si vlerë të shenjtë të identitetit tonë kombëtar”, është shprehur ai.

Në mesazhin e tij, Ademi ka shprehur gjithashtu respekt dhe mirënjohje për rilindësit shqiptarë dhe të gjithë ata që kontribuuan në njësimin e alfabetit shqip, një ngjarje që hapi rrugën për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe vetëdijes kombëtare.

“Nderim për rilindësit dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë akt historik! Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, ka përfunduar Ademi. /tvfesta