Një rast i rëndë i dhunës në familje ka tronditur Kumanovën, ku një 54-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar se do t’i djegë vajzën dhe mbesën e tij, ndërsa ka derdhur dy shishe me benzinë brenda shtëpisë, raporton tvfesta.mk.
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë penale ndaj të dyshuarit, pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë.
Sipas Prokurorisë, 54-vjeçari dyshohet për veprën penale “Rrezikim i sigurisë”, sipas nenit 144 të Kodit Penal, ndërsa ndaj tij është propozuar masa e paraburgimit.
Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari nuk është kufizuar vetëm në kërcënime verbale ndaj vajzës dhe mbesës, por dyshohet se ka ndërmarrë edhe veprime konkrete, duke derdhur dy shishe me benzinë brenda shtëpisë.
Sipas informacioneve të Prokurorisë, ndaj 54-vjeçarit tashmë është ngritur një aktakuzë tjetër për shkaktim të lëndimeve trupore ndaj vajzës së tij gjatë ushtrimit të dhunës në familje, nën ndikimin e alkoolit. Ky rast aktualisht ndodhet në procedurë gjyqësore.
Pas denoncimit të incidentit të fundit, institucionet kompetente kanë realizuar një vlerësim urgjent të rrezikut, i cili ka konstatuar se ekziston rrezik serioz për jetën, sigurinë dhe integritetin fizik e psikik të viktimës dhe familjarëve të saj.
Sipas këtij vlerësimi, ekziston frika e bazuar se i dyshuari mund të përsërisë veprimet e dhunshme ose të kryejë një vepër edhe më të rëndë, përfshirë realizimin e kërcënimeve të tij.
Për shkak të seriozitetit të rastit dhe rrezikut të përsëritjes së dhunës, prokurori publik ka vlerësuar se masat më të lehta nuk do të ishin të mjaftueshme, prandaj ka kërkuar caktimin e paraburgimit.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se bëhet fjalë për 54-vjeçarin B.S., i cili është arrestuar nga policia pas denoncimit se kishte shfaqur sjellje agresive dhe kishte kërcënuar vajzën e tij.
Prokuroria po vazhdon procedurën për sigurimin e provave, në kuadër të mekanizmit të koordinimit urgjent ndërinstitucional për rastet e dhunës në familje. /tvfesta

