Komuna e Kumanovës ka shpallur konkurs publik për përzgjedhjen e kompanive transportuese që do të kryejnë transportin publik të udhëtarëve gjatë periudhës 2027–2031, raporton tvfesta.mk.
Sipas njoftimit, konkursi përfshin gjithsej 19 linja të autobusëve, të cilat lidhin qytetin e Kumanovës me vendbanimet përreth, si dhe disa linja të transportit urban brenda qytetit.
Ndër linjat e përfshira janë relacionet Proevcë – Stacioni Hekurudhor, Kojnarja e Epërme – Kojnarja e Poshtme – Kumanovë, Dobrashan – Zelen Rid – Zona Industriale, Karposh – Stacioni Hekurudhor, Reçan – Kumanovë, Kumanovë – Llopat, Biljanoc – Stacioni i Zjarrfikësve dhe Kumanovë – Reçicë.
Transporti publik parashihet të përfshijë edhe vendbanimet Orashac, Skaçkoc, Novosellan, Kosmatac, Murgash, Kuçkarevë, Gabresh, Gradishtë, Pezovë, Kshanë dhe Kokoshinjë, si dhe Tabanoc, Karabiçan, Sopot, Çetircë, Pçinjë, Vakëv, Studena Barë dhe Kosturnik.
Në konkurs janë përfshirë gjithashtu linjat Rramanli – Kumanovë, Bajram Shabani – Bedinjë, Bedinjë – Tromejë dhe Kumanovë – Shupli Kamen.
Disa prej linjave janë grupuar në dy paketa. Paketa e parë përfshin relacionet Rramanli – Kumanovë dhe Bajram Shabani – Bedinjë, ndërsa paketa e dytë përfshin linjat Bedinjë – Tromejë dhe Kumanovë – Shupli Kamen.
Kompanitë e interesuara për të kryer transportin publik duhet të dorëzojnë aplikimet pranë Komisionit për zbatimin e procedurës së përzgjedhjes së transportuesve, në bazë të lejeve që lëshohen nga Komuna e Kumanovës.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 3 dhjetori 2026. Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zarf të mbyllur në arkivin e Komunës së Kumanovës, sipas kushteve të përcaktuara në konkurs.
Përmes këtij konkursi do të përcaktohen transportuesit që do të operojnë në linjat e miratuara gjatë pesë viteve të ardhshme, nga viti 2027 deri në vitin 2031. /tvfesta

