Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka marrë pjesë në manifestimin festiv të organizuar nga Shkolla Fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel të Shkupit, me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, raporton tvfesta.mk.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, drejtues të shkollës, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.
Përmes një publikimi, zëvendësministri Sulejmani ka theksuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme për gjuhën, arsimin dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Sipas tij, Kongresi i Manastirit hodhi themelet e njësimit të alfabetit shqip dhe i hapi rrugë zhvillimit të arsimit, kulturës dhe vetëdijes kombëtare.
“Gjuha shqipe është një nga vlerat më të çmuara të identitetit tonë, ndërsa ruajtja dhe kultivimi i saj është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve arsimore, mësimdhënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë”, ka theksuar Sulejmani.
Ai ka nënvizuar gjithashtu përkushtimin për avancimin e arsimit në gjuhën amtare, përmirësimin e kushteve në shkolla dhe krijimin e mundësive të barabarta për arsim cilësor për çdo fëmijë.
Zëvendësministri ka shprehur mirënjohje të veçantë për drejtoreshën e shkollës, Mevlide Kryeziu, si dhe për mësimdhënësit dhe nxënësit, për organizimin e manifestimit dhe angazhimin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.
Në fund të mesazhit të tij, Sulejmani ka përcjellë edhe një thënie kushtuar rëndësisë së alfabetit dhe arsimit për të ardhmen e brezave të rinj.
“Alfabeti na dha shkronjat, arsimi na jep dijen, ndërsa dija na jep fuqinë për të ndërtuar të ardhmen”, ka shkruar ai.
Duke uruar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit Shqip, Sulejmani ka ritheksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe përmes arsimit dhe bashkëpunimit institucional. /tvfesta

