Udhëheqësja e Sektorit për Parandalim pranë SPB Kumanovë, mr. Lile Mlladenovska, ka uruar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit Shqip, gjatë një programi festiv të organizuar në Shkollën Fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, raporton tvfesta.mk.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Sektorit për Parandalim, drejtori i shkollës, mësimdhënës, prindër dhe nxënës, të cilët së bashku shënuan këtë datë të rëndësishme për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Programi festiv u zhvillua në një atmosferë solemne, ku nxënësit prezantuan këngë dhe recitime kushtuar Ditës së Alfabetit Shqip.
Përfaqësuesit e policisë patën mundësinë të bashkëbisedojnë dhe të kalojnë momente të këndshme me fëmijët, ndërsa aktiviteti u prit me gëzim dhe reagime pozitive nga nxënësit.
Me këtë rast, udhëheqësja e Sektorit për Parandalim, Lile Mlladenovska, përcolli mesazhe për respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin dhe rëndësinë e edukimit të fëmijëve në frymën e mirëkuptimit.
“Respektoje veten dhe më pas tjetrin. Fëmijët janë matësi më i madh i dashurisë dhe respektit të sinqertë”, ishte mesazhi i përcjellë gjatë këtij aktiviteti.
Mlladenovska vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe komunitetet e ndryshme, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta që promovojnë respektin dhe bashkëjetesën.
Në fund, ajo u drejtua me një urim të veçantë të gjithë qytetarëve me rastin e festës.
“Urime 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip!”, ishte mesazhi i udhëheqëses së Sektorit për Parandalim pranë SPB Kumanovë.
Dita e Alfabetit Shqip shënohet më 22 nëntor, në përkujtim të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e gjuhës shqipe. /tvfesta








