Sektori për Parandalim pranë policisë së Kumanovës ka shënuar sot, në mënyrë simbolike, 20 Nëntorin – Ditën Botërore të Fëmijëve, përmes një aktiviteti të përbashkët me nxënësit e shkollave fillore “Bajram Shabani” dhe “Vuk Karaxhiq”, raporton tvfesta.mk.
Në kuadër të këtij aktiviteti, nxënësit, së bashku me mësueset e tyre, kanë përgatitur mesazhe të veçanta, të cilat më pas ua kanë shpërndarë qytetarëve të Kumanovës.
Përmes këtyre mesazheve, fëmijët kanë shprehur dëshirat e tyre për një fëmijëri të lumtur, të sigurt dhe pa brenga, duke përcjellë njëkohësisht mesazhe pozitive për komunitetin.
Sipas njoftimit të Sektorit për Parandalim, informon tvfesta, aktiviteti ka nxitur reagime pozitive te qytetarët, të cilët kanë mirëpritur mesazhet e përgatitura nga nxënësit.
Organizatorët kanë theksuar se kjo nismë dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, shkollave dhe qytetarëve, si dhe promovimin e respektit të ndërsjellë.
“Fëmijët janë pasuria jonë më e madhe”, ka theksuar udhëheqësja e Sektorit për Parandalim, mr. Lile Mlladenovska, duke vënë në pah rëndësinë e kujdesit dhe përgjegjësisë së përbashkët për mirëqenien e fëmijëve.
Dita Botërore e Fëmijëve shënohet çdo vit më 20 nëntor dhe synon të promovojë të drejtat, mirëqenien dhe mbrojtjen e fëmijëve. /tvfesta










