Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar këtë parti se po paralajmëron bllokimin e Ligjit për provimin e jurisprudencës përmes përdorimit të parimit të Badinterit, raporton TVFesta.mk.
Përmes një postimi në Facebook, Mexhiti ka deklaruar se mekanizmi i Badinterit është krijuar për të mbrojtur shqiptarët nga majorizimi dhe jo për t’u përdorur në përplasjet politike ndërmjet partive shqiptare.
“BDI sot me krekosje po kërcënon se do ta bllokojë Ligjin për provimin e jurisprudencës në Parlament duke keqpërdorur Badinterin – parimin kushtetues i cili është ndërtuar si mekanizëm që duhet të mbrojë shqiptarët nga majorizimi”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka rikujtuar se parimi i Badinterit buron nga negociatat për Marrëveshjen e Ohrit, duke theksuar se, sipas tij, ky mekanizëm nuk duhet të shndërrohet në instrument për rivalitete partiake.
“Parimi i Badinterit nuk është mekanizëm i ndërtuar që shqiptari ta bllokojë shqiptarin. Badinteri nuk është instrument për gara partiake mes partive shqiptare”, ka theksuar bashkëkryetari i VLEN-it.
Mexhiti ka paralajmëruar se përdorimi i këtij mekanizmi për interesa partiake mund të krijojë precedentë të rrezikshëm në të ardhmen, duke u dhënë mundësi subjekteve politike ta përdorin votimin e dyfishtë për përplasje ndërmjet tyre.
Sipas tij, Ligji për provimin e jurisprudencës synon avancimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, duke u mundësuar studentëve shqiptarë ta japin këtë provim në gjuhën amtare.
“Badinteri nuk guxon të keqpërdoret nga opozita shqiptare si instrument bllokues kundër një ligji që avancon të drejtat e shqiptarëve dhe që, për herë të parë në historinë e vendit, u mundëson studentëve shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare”, ka përfunduar Mexhiti.
Reagimi i tij vjen në kuadër të debatit politik për Ligjin për provimin e jurisprudencës dhe përdorimin e parimit të Badinterit gjatë procedurave parlamentare. /tvfesta

