Kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova, Dritan Ramadani, ka bërë thirrje publike për mbështetje më të madhe nga institucionet, mërgata shqiptare dhe të gjithë dashamirët e kulturës, duke theksuar se ansambli ka nevojë jo vetëm për ndihmë financiare, por edhe për veshje tradicionale, instrumente muzikore dhe pajisje të tjera të domosdoshme për veprimtarinë artistike, raporton tvfesta.mk.
Në një deklaratë për Televizionin Festa, Ramadani theksoi se Ansambli “Bajram Shabani” ka dëshmuar ndër vite përkushtimin e tij në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, ndërsa mbështetja e institucioneve dhe qytetarëve do të ishte një shtysë e rëndësishme për vazhdimin e kësaj veprimtarie.
“Besoj se duhet t’i hapim sytë për diçka që është funksionale dhe funksionon prej shumë vitesh. Institucionet, mërgata dhe të gjithë ata që kanë mundësi ta ndihmojnë këtë ansambël, është mirë ta bëjnë në një formë apo tjetër”, deklaroi Ramadani.
Ai sqaroi se nevojat e ansamblit nuk kufizohen vetëm te mjetet financiare, por përfshijnë edhe elemente të rëndësishme për prezantimin dinjitoz të folklorit shqiptar.
“Ne nuk kemi nevojë vetëm për para. Kemi nevojë për veshje kombëtare, tirq, opinga, shami, shalla, instrumente dhe pajisje të ndryshme që do të na e lehtësonin punën dhe organizimin e aktiviteteve tona”, u shpreh ai.
Pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat përballet ansambli, Ramadani theksoi se aktivitetet artistike nuk janë ndërprerë, por përkundrazi, janë intensifikuar nga viti në vit.
Sipas tij, përkushtimi i anëtarëve dhe emocionet që sjellin koncertet janë motivimi më i madh për të vazhduar punën.
“Çdo vit e kemi rritur intensitetin e veprimtarisë sonë dhe kemi treguar se nuk ndalemi. Sado që lodhemi dhe përballemi me vështirësi, kur përfundon një organizim i këtillë, merr një energji të re, si një infuzion që të shtyn të punosh edhe më shumë”, theksoi Ramadani.
Kreu i ansamblit foli edhe për lidhjen e veçantë që kjo shoqëri kulturore-artistike ka krijuar me qytetarët e Kumanovës gjatë dekadave të veprimtarisë së saj.
Ai vlerësoi se pothuajse çdo familje kumanovare ka pasur, në një mënyrë apo tjetër, një anëtar apo të afërm që ka qenë pjesë e Ansamblit “Bajram Shabani”.
“Çdo familje kumanovare është e lidhur me këtë ansambël. Është nipi, daja apo dikush tjetër që ka kaluar nëpër këtë shoqëri. Kjo është dëshmi e lidhjes së fortë që kemi me qytetin dhe qytetarët tanë”, u shpreh Ramadani.
Në fund të prononcimit, ai uroi të gjithë qytetarët e Kumanovës dhe përgëzoi edhe Televizionin Festa për 31-vjetorin e veprimtarisë së tij.
“Ju uroj edhe juve si televizion 31-vjetorin dhe uroj që të festojmë së bashku edhe shumë vite e përvjetorë të këtillë”, përfundoi Ramadani.
Ansambli “Bajram Shabani”, i cili këtë vit shënon 81 vjet veprimtari, vazhdon të mbetet një nga bartësit e traditës së këngëve dhe valleve shqiptare në Kumanovë. /tvfetsa

