Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka bërë një tjetër hap drejt modernizimit të shërbimeve shëndetësore, duke siguruar një aparat të ri bashkëkohor për diagnostikim me ultrazë, në vlerë prej mbi 5 milionë denarësh, raporton tvfesta.mk.
Sipas njoftimit të Institucionit Shëndetësor Publik – Spitali i Përgjithshëm Kumanovë, pajisja e re është vendosur në dispozicion të Repartit të Radiologjisë dhe pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet e punës, si dhe cilësinë e shërbimeve diagnostikuese për pacientët.
Nga spitali theksojnë se ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve diagnostikuese, duke krijuar kushte më të mira për personelin mjekësor dhe mundësi për ekzaminime më cilësore me ultratinguj.
“Pajisja mjekësore bashkëkohore, në kombinim me dijen, përvojën dhe përkushtimin e ekipit tonë profesional të radiologëve dhe personelit mjekësor, është një parakusht i rëndësishëm për diagnostikë më cilësore dhe kujdes më të mirë për secilin pacient”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Në Repartin e Radiologjisë, nën udhëheqjen e specialistit dr. Izair Biljali, angazhohen edhe specialistet dr. Slavica Jakimovska, dr. Njomza Arifi, dr. Linda Aslani, dr. Advije Memti-Tefiku dhe dr. Sherimet Aslani, si dhe teknikja përgjegjëse e rentgenit, Irena Tasevska.
Sipas të dhënave të publikuara nga institucioni, vlera e aparatit të ri të ultrazërit është 5.074.000 denarë, ndërsa ai është pjesë e një investimi më të gjerë për furnizimin me pajisje mjekësore, në vlerë të përgjithshme prej 108 milionë denarësh.
Ky investim është mundësuar me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës theksojnë se investimet në pajisje moderne mjekësore do të vazhdojnë të jenë pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
“ISHP Spitali i Përgjithshëm Kumanovë – hap pas hapi drejt një mbrojtjeje shëndetësore më të mirë, më bashkëkohore dhe më cilësore!”, përfundon njoftimi i institucionit. /tvfesta

