Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Shabani” nga Kumanova ka përgatitur një agjendë të pasur me aktivitete kulturore dhe artistike gjatë muajit nëntor, në kuadër të shënimit të datave të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, raporton TVFesta.mk.
Në një deklaratë për Televizionin Festa, kryetari i ansamblit, Dritan Ramadani, theksoi se organizimi i koncertit jubilar në fillim të nëntorit nuk ishte i rastësishëm, por i planifikuar pikërisht në prag të festave kombëtare shqiptare.
“Ky koncert është organizuar qëllimisht në fillim të nëntorit, pasi jemi në prag të festave të nëntorit. Kemi aktivitete për 22 Nëntorin, ndërsa fëmijët dhe valltarët tanë, të cilët janë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, do të jenë në dispozicion të shkollave për organizimet që lidhen me këto data historike”, deklaroi Ramadani.
Ai bëri të ditur se ansambli ka pranuar ftesa për pjesëmarrje në manifestime të ndryshme kulturore, përfshirë aktivitete në Komunën e Likovës dhe në Tetovë.
“Kemi ftesë nga Komuna e Likovës, kemi ftesë edhe nga Komuna e Tetovës për marshin në Tetovë, ku shpresojmë të marrim pjesë. Gjithashtu, kemi organizime edhe këtu për 22 Nëntorin”, u shpreh ai.
Sipas Ramadanit, vetëm gjatë këtij muaji ansambli pritet të angazhohet në katër deri në pesë organizime të ndryshme, të cilat kanë për qëllim promovimin e kulturës, traditës dhe vlerave historike të popullit shqiptar.
Ai theksoi se secili prej këtyre manifestimeve ka rëndësi të veçantë, pasi lidhet me data që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare.
“Besoj se vetëm gjatë këtij muaji kemi katër apo pesë organizime, të gjitha me theks të veçantë dhe me data të caktuara që shënojnë historinë e popullit shqiptar”, theksoi Ramadani.
Përmes këtyre aktiviteteve, Ansambli “Bajram Shabani”, i cili këtë vit shënon 81 vjet veprimtari artistike, vazhdon angazhimin për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përfshirë në aktivitetet e tij edhe gjeneratat e reja.

