LAJME

Me flamurin kuqezi në dorë, gruaja shtatzënë bëhet simbol i qëndresës në protestë

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë hyrë në ditën e shtatë. Studentët dhe qytetarët po protestojnë për korrupsionin, kushtet në universitete, tarifat e larta të studimit dhe gjendjen ekonomike, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, raporton tvfesta.mk

Në Tiranë janë regjistruar përplasje me policinë, përdorim i gazit lotsjellës dhe i autobotëve me ujë, si dhe incidente me mjete piroteknike e koktej molotovi.
Një grua shtatzënë, e veshur me të zeza dhe me flamurin kombëtar shqiptar të ngritur lart, ka tërhequr vëmendjen përmes një fotografie të fuqishme nga një protestë.

Në një atmosferë të tensionuar, mes tymit dhe turmës së protestuesve, ajo shfaqet duke mbajtur me njërën dorë flamurin kuqezi, ndërsa qëndron e vendosur në mes të rrugës, informon tvfesta.

Fotografia përcjell një mesazh të fortë qëndrese dhe vendosmërie. Pavarësisht shtatzënisë, gruaja u bë një nga figurat më të spikatura të këtij imazhi.

Me fytyrën pjesërisht të mbuluar dhe flamurin shqiptar që valëvitet mbi kokën e saj, fotografia pasqyron një moment që ndërthur guximin, simbolikën kombëtare dhe pjesëmarrjen e grave në protestat qytetare. /tvfesta