KUMANOVË

Arrestohet një 38-vjeçar në Kumanovë, sulmoi fizikisht rojen e kazinos

Një incident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në qendër të Kumanovës, ku është dashur ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit, raporton tvfesta.mk

Sipas njoftimit zyrtar nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë, më 19 tetor 2026, në orën 04:10, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin me iniciale S.K. (38) nga Kumanova.

Arrestimi i tij ka ardhur pas një denoncimi se i njëjti ka sulmuar fizikisht një punonjës të shërbimit të sigurimit në një kazino të vendosur në sheshin e qytetit.

“Më 19.10.2026 në orën 04:10, zyrtarët policorë nga SPB Kumanovë kanë privuar nga liria S.K.(38) nga Kumanova, për shkak se në një kazino në sheshin e Kumanovës ka sulmuar një punonjës të sigurimit,” njoftojnë nga policia.

Personi i arrestuar është dërguar në stacionin policor dhe, siç bëjnë me dije autoritetet, pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës ligjor.