MAQEDONI

Reagon Arbër Ademi: Shasivari po u propozon studentëve ta shkelin ligjin për gjuhën shqipe

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së pushtetit lidhur me organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Reagimi vjen pasi Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ftoi në një takim konsultativ studentët shqiptarë dhe dekanët e fakulteteve juridike për të diskutuar zgjidhjen dhe modalitetet e realizimit të këtij provimi, raporton tvfesta.mk

​Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka akuzuar Qeverinë dhe ministrin se në vend që të zbatojnë me përpikëri ligjin që garanton dygjuhësinë, po u propozojnë studentëve zgjidhje kompromisi që e zbehin atë.

​“Në vend që ministri dhe Qeveria të kërkojnë zbatimin konsekuent të ligjit, ata zgjedhin t’u thonë studentëve: ‘Hajde të merremi vesh ta shkelim ligjin, ta bëjmë provimin pak shqip e pak maqedonisht’,” ka deklaruar Ademi.

​Përplasja për provimin e jurisprudencës ka qenë në qendër të debatit politik dhe arsimor, meqenëse përfaqësuesit studentorë prej kohësh kërkojnë të drejtën e garantuar me ligj për ta dhënë provimin e shtetit plotësisht në gjuhën shqipe. Nga ana tjetër, opozita shqiptare pretendon se çdo formulim që kërkon përdorim të pjesshëm apo hibrid të gjuhëve përbën shkelje ligjore dhe shmangie nga zbatimi i plotë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

​Ndërkohë, takimi i thirrur nga ministri Shasivari me dekanët dhe përfaqësuesit e studentëve shihet si një përpjekje për të gjetur një rrugëdalje praktike për këtë çështje që prek qindra absolventë të drejtësisë në vend. /tvfesta