KUMANOVË

Dimitrievski: Ka nisur shtrimi i asfaltit në rrugën e Zonës Industriale në Kumanovë

Në qytetin e Kumanovës po vijojnë me intensitet të lartë punimet për përmirësimin e rrjetit rrugor. Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka bërë të ditur se ka nisur shtrimi i shtresës së parë të asfaltit në rrugën kryesore në Zonën Industriale, raporton tvfesta.mk

Sipas njoftimit të tij në rrjetet sociale, punimet po zhvillohen në korsinë e djathtë të kësaj rruge, konkretisht në segmentin nga Depoja Publike Doganore deri te rruga e Hekurudhës (“Zheleznichka”). Në këtë pjesë po vendoset shtresa e parë e asfaltit (BNS 22) me trashësi prej 8 centimetrash.

Kryetari Dimitrievski theksoi se komuna vazhdon me përkushtim realizimin e projekteve infrastrukturore me qëllim modernizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë territorin e Kumanovës.

Më 25 qershor të këtij viti kanë filluar përgatitjet për rikonstruimin e rrugës kryesore në Zonën Industriale në qytetin e Kumanovës, raporton Televizioni Festa.