SPORT

KF Bashkimi gjunjëzon Strugën, fitorja e madhe i dedikohet ish-tifozit të ndjerë

Skuadra e KF Bashkimit ka arritur një fitore të madhe e të rëndësishme në shtëpi, duke mposhtur me rezultat 2:1 FC Strugën në ndeshjen me të cilën u mbyll xhiroja e 9-të e kampionatit vendor, raporton tvfesta.mk

Takimi nisi më mirë për mysafirët nga Struga, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 26-të përmes Lassano Diako, i cili shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi për 0:1. Megjithatë, reagimi i kumanovarëve nuk vonoi, në minutën e 34-të, Nickel Orr barazoi shifrat në 1:1, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Pjesa e dytë nisi me dominim të vendasve, ku në minutën e 51-të Antonio Mayimona realizoi golin e përmbysjes për 2:1. Deri në fund të takimit, KF Bashkimi arriti të menaxhojë mjaft mirë epërsinë dhe të sigurojë tre pikë tejet të vlefshme për vazhdimësinë e kampionatit.

Këtë triumf të madh, klubi i KF Bashkimit ia ka dedikuar ish-tifozit të tyre të besnik, Sadush Sherifi, i cili siç u shprehën nga klubi, do të mbetet përherë pjesë e familjes zi e gjelbër.

Ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje u zhvilluan gjatë fundjavës. Të shtunën, Arsimi dhe Sileksi ndanë pikët në një sfidë mjaft të barabartë që përfundoi me rezultat 1-1, ndërsa Tikveshi arriti një fitore të bindshme në shtëpi duke mposhtur Bregallnicën e Shtipit me rezultat të pastër 3-0.

Sfidat vazhduan edhe të dielën, ku përballja mes dy Shkëndijave, asaj të Haraçinës dhe Shkëndijës së Tetovës, u mbyll pa fitues në barazimin 1-1. Ndërkaq, në takimin tjetër të ditës së diel, Vardari mori tri pikë mjaft të rëndësishme si mysafir duke mposhtur Skopjen me rezultat 2-1.