Pas incidentit të 7 tetorit në Shkup, gjashtë policë do të suspendohen dhe ndaj tyre do të nisë procedurë disiplinore. Mesazhi i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme është i qartë: uniforma nuk është mburojë për shkeljet e ligjit!
Pas shqyrtimit të incizimeve, deklaratave të dëshmitarëve dhe kontrolleve të brendshme, janë konstatuar parregullsi në veprimet e punonjësve policorë.
Zv/ministri thekson se përgjegjësia nuk do të ndalet te suspendimi. Në koordinim me prokuroritë kompetente, po vazhdon ekspertiza dhe dokumentimi i provave për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi penale.
“As uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit”, është mesazhi i prerë i zëvendësministrit.
Ai nënvizon se përdorimi i papranueshëm i forcës dhe çdo shkelje e konstatuar duhet të marrin përgjigjen e merituar, ndërsa qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë siguri, dinjitet dhe profesionalizëm nga policia.
Me këtë qëndrim, zv/ministri synon të përcjellë mesazhin se përgjegjësia institucionale nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata, por të dëshmohet me masa konkrete dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë.

