KUMANOVË

Ilir Hasani, shqiptari që shkruan histori në traumatologjinë botërore

Mjeku dhe kirurgu i njohur nga Kumanova, Dr. Ilir Hasani, ka marrë pjesë sërish si ligjërues në Kongresin Botëror të Traumatologjisë dhe Ortopedisë (SICOT), i cili këtë vit u zhvillua në Kyoto të Japonisë, informon tvfesta.mk

Në një postim në facebook, Hasani e ka cilësuar si një privilegj të veçantë mundësinë për të dhënë kontributin e tij profesional dhe për të ndarë përvojën me ekspertët më të mirë të fushës nga e gjithë bota.

„I nderuar që u riktheva në SICOT në Kyoto. Është gjithmonë një privilegj të jap kontributin tim si ligjërues në Kongresin Botëror të SICOT-it, duke ndarë njohuritë, përvojën dhe idetë me kolegë nga e gjithë bota. Një nga aspektet më shpërblyese është mundësia për të rinovuar, vit pas viti, lidhjet profesionale dhe personale me kolegë prej çdo skaji të botës, miq të vjetër, bashkëpunëtorë të rinj dhe kirurgë frymëzues që vazhdojnë të i japin formë fushës sonë“, ka deklaruar Hasani.

Ai shprehu mirënjohjen për këtë takim të radhës në Japoni, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave mjekësore dhe miqësive profesionale.

“Shihemi të gjithë vitin e ardhshëm në Stamboll!”, shkroi ai në përfundim. /tvfesta.mk