KUMANOVË

Shfaqja “Zotëriu i Parë” nga Teatri Shqiptar i Shkupit më 1 tetor në festivalin “Ditët e Komedisë” në Kumanovë

Skena e Qendrës për Kulturë “Trajko Prokopiev” në Kumanovë mirëpret një tjetër ngjarje të rëndësishme kulturore në kuadër të edicionit të sivjetshëm të festivalit tradicional “Ditët e Komedisë”. Më 1 tetor, me fillim nga ora 20:00, publikut kumanovar do t’i prezantohet shfaqja “Zotëriu i Parë”, e realizuar nga trupa e njohur e Teatrit Shqiptar – Shkup, informon tvfesta.mk

Kjo shfaqje vjen si një komedi satirike me dinamikë të lartë, e cila përmes gjuhës së humorit dhe ironisë zbërthen tema të mprehta si pushteti, paraja, statusi shoqëror dhe ambicia e pafundme njerëzore. Përmes situatave komike dhe personazheve pikante, vepra ndërton një pasqyrë ironike të realitetit tonë të përditshëm, duke u ofruar spektatorëve jo vetëm momente të qeshura, por edhe një ftesë për reflektim të thellë mbi ndikimin që ka dëshira për privilegje te njeriu.

Sipas organizatorëve, kjo mbrëmje teatrale premton të jetë një nga pikat kryesore të programit të festivalit, duke mbledhur dashamirët e artit skenik për një eksperiencë mbresëlënëse./tvfesta