Vendosmëria e institucioneve të Kosovës për të vendosur rendin dhe ligjin në çdo cep të vendit ka nxitur një valë të re paniku dhe reagimesh të ashpra në Beograd. Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës në Zubin Potok, i koduar “Dosja 23”, i cili çoi në arrestimin e nëntë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, ka bërë që mediat propagandistike serbe dhe zyrtarët në Beograd të shpërthejnë në vajtime e akuza direkte ndaj Kryeministrit Albin Kurti, raporton tvfesta.mk
Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe i mbështetur nga njësitë speciale, me urdhër të Prokurorisë Speciale, e ka zënë të papërgatitur aparatin mediatik serb, i cili menjëherë ka nisur lansimin e titujve sensacionalë e viktimizues.
Portalet kryesore në Serbi, si Kurir, Novosti, Srbija Danas dhe agjencia Tanjug, kanë vërshuar me narrativa se ndaj serbëve po ushtrohet “terror”. Titujt e tyre pasqyrojnë qartë shqetësimin e madh që ka kapluar Beogradin përballë shtrirjes së sundimit të ligjit:
Kurir.rs: “Policia e Kurtit nisi operacionin ‘Dosja 23’: Specialët e armatosur deri në dhëmbë nisën arrestimin masiv të serbëve në Zubin Potok – valë e re terrori në Kosmet”

Novosti.rs: “Kurti vazhdon persekutimin e serbëve: Arrestim masiv në Zubin Potok”
Srbija Danas (SD.rs): “‘Dosja 23’ hap kapitull të ri: E ashtuquajtura Polici e Kosovës arreston 9 serbë për krime guerre”
Tanjug.rs: “E ashtuquajtura Polici e Kosovës arreston 9 persona në Zubin Potok të dyshuar për krime guerre”

Tensionit i është bashkuar menjëherë edhe e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, e cila përmes një deklarate dramatike e ka cilësuar Policinë e Kosovës si “falanga të Kurtit”. Sipas kësaj zyre, aksioni i sotëm për kapjen e të dyshuarve për krime guerre përbën “mjet presioni dhe frikësimi për dëbimin e serbëve nga Ibarski Kolashini”.
Përderisa në Prishtinë operacioni po shihet si një sukses i rëndësishëm i drejtësisë për zbardhjen e krimeve të së kaluarës dhe forcimin e sigurisë në veri, në Beograd arrestimi i personave të dyshuar vazhdon të përkthehet në retorikë politike, ku çdo hap drejt zbatimit të ligjit etiketohet si “sulm” ndaj komunitetit serb.

