RAJON & BOTA

Aksioni i madh në veri të Kosovës lidhet me “Grupin e intelektualëve”

Nëntë persona janë arrestuar në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.

Kështu kanë bërë të ditur ekskluzivisht burime të gazetares së Klan Kosova, Altiana Zogaj.

Ndërkohë, Sistemi Prokurorial ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitet tjera të specializuara policore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit në komunën e në Zubin Potok-ut ka zhvilluar operacionin e koduar si ”Dosja 23”.

Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Opercioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, ndërsa për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik.