LAJME

Nga Likova në Tetovë, arrestohen katër persona të dyshuar për vjedhje

Të dielën në orën 16:55 në Tetovë, policia e Tetovës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminalistike-Sektori për Krim të Përgjithshëm dhe me Dhunë, ka arrestuar personat S.U. (26) nga fshati Pallçisht i Poshtëm dhe A.E. (34) nga fshati Likovë, Komuna e Likovës, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “vjedhje” dhe “vjedhje e rëndë” sipas nenit 235 dhe nenit 236 të Kodit Penal.

Nga personi A.E. është konfiskuar një automjet udhëtarësh “Audi” me targa të Kumanovës, ndërsa në disa lokacione në zonën e fshatit Kamjan dhe fshatit Pallçisht janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie dhe një karabinë gjuetie, si dhe një sasi e madhe municioni dhe patronash të kalibrave të ndryshëm dhe disa objekte që rrjedhin nga veprat penale.

Po atë ditë, në orën 18:50, në bazë të urdhëresës gjyqësore, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë kryer bastisje në shtëpinë dhe ambientet ndihmëse të B.U. (26) në fshatin Pallçisht i Poshtëm, pas çka edhe ai është arrestuar.

Në vazhdim të aktiviteteve, më 20.09.2026 në orën 02:20 në Stacionin Policor Tetovë është ndaluar edhe A.A. (34) nga fshati Hotël, rajoni i Likovës, i arrestuar më parë nga zyrtarë policorë të SPB-Kumanovë, me ç’rast nga ai është konfiskuar automjeti i udhëtarëve “Volkswagen Polo” me targa të Kumanovës. Të gjithë personat janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të dorëzohen kallëzimet përkatëse.