LAJME

Kurti nga New Yorku: Lufta e UÇK-së mbetet e drejtë, nuk mund të njolloset

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në New York është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, informon tvfesta.mk

Përmes një njoftimi, Kurti bëri me dije se e ka falënderuar kongresistin Lawler për anëtarësimin e tij në Kaukusin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj integrimit të Kosovës në NATO.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë më i rëndësishëm. Miqësia dhe partneriteti me SHBA-të janë ndër shtyllat më të rëndësishme të shtetësisë së Republikës së Kosovës”, është shprehur Kurti.

Gjatë takimit, ku i pranishëm ishte edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë, mundësitë e rritjes së investimeve amerikane në fushat e teknologjisë, prodhimit dhe energjisë, si dhe për situatën në Luginën e Preshevës.

Kurti ngriti shqetësimin për diskriminimin institucional me të cilin përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, me fokus të veçantë te procesi i pasivizimit të adresave që prek mijëra qytetarë duke u cenuar të drejtën e votës dhe pajisjen me dokumente identifikuese.

Po ashtu, pjesë e diskutimit me kongresistin amerikan ishte edhe aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kreu i ekzekutivit theksoi se pretendimet fillestare mbi të cilat u ngrit Gjykata Speciale, si ajo për “Shtëpinë e Verdhë”, nuk patën fare vend në aktakuzë, ndërsa ra edhe pretendimi për krime kundër njerëzimit apo sulme sistematike.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”, ka deklaruar Kurti.