LAJME

EKSLUZIVE: Dëshmitari që dëshmoi kundër krerëve të UÇK-së dyshohet se i çoi në pritë 23 intelektualët, ku u vranë nga forcat serbe

Sipas një informacioni të siguruar nga Skenderajlive, e raporton tvfesta një dëshmitar i mbrojtur i Dhomave të Specializuara në Hagë, nga Skenderaj, dyshohet se lidhet me rastin e grupit prej 23 intelektualëve shqiptarë, të zhdukur më 19 prill 1999.

Sipas këtij informacioni dyshohen se vëllau i tij dhe ai ishin personat që i udhëhoqen 23 personat parë ku grupi u përballë me forcat serbe.

Ky informacion vjen në një kohë kur rasti i 23 intelektualëve është rikthyer në vëmendje pas gjetjes së mbetjeve mortore në lokacionet e Kalludrës dhe Jabukës në Zubin Potok. Autoritetet kanë nisur procesin e identifikimit përmes analizave forenzike dhe ADN-së.

Dokumentimi i Fondit për të Drejtën Humanitare tregon se grupi ishte nisur nga Kotorri më 19 prill 1999 dhe se dëshmitari i mbrojtur dhe vëllau i tij ishin njohës i terrenit, kishte pranuar t’i udhëhiqte përmes maleve në drejtim të Malit të Zi. Sipas dëshmisë së dokumentuar, ai kishte paralajmëruar grupin se rruga ishte e rrezikshme, informon tvfesta.mk

Megjithatë, pretendimi se ky person i ka çuar grupin në pritë dhe se ka pasur rol në vrasjen e tyre mbetet informacion i siguruar nga burimi i redaksisë dhe nuk është konfirmuar publikisht nga autoritetet.

Informatat e paraqesin si dëshmitar i mbrojtur i Gjykatës Speciale dhe si person që ka dëshmuar në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Dëshmitarët e mbrojtur në këto procese dëshmojnë nën masa të posaçme mbrojtëse dhe identitetet e tyre mund të mbahen konfidenciale.

Rasti i 23 intelektualëve është aktualisht objekt i hetimeve të institucioneve të Kosovës. Për rastin në Zubin Potok janë arrestuar persona nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se procesi i identifikimit të mbetjeve mortore është ende në zhvillim.

Skenderajlive do të vazhdojë të ndjekë këtë informacion dhe zhvillimet e hetimit, duke publikuar vetëm të dhëna që mund të verifikohen./tvfesta.mk