Banorët e Kumanovës sot po përballen me rënie të presionit në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërprerje të shkurtra të furnizimit me ujë, veçanërisht në zonat më të larta të qytetit, raporton tvfesta.mk
Nga NP “Ujësjellësi” – Kumanovë njoftojnë se sot kanë marrë një njoftim nga SH.A. “Ekonomia e Ujërave e RMV-së” – Dega “Fusha e Kumanovës dhe Likovës”, për një defekt të paraqitur në degën e katërt të sistemit të ujitjes. Për këtë arsye, sot është stakuar tubacioni furnizues “bajpas”, ndërsa aktualisht nuk po mund të shfrytëzohet as tubacioni i vjetër i furnizimit.
“Ju njoftojmë se për shkak të një defekti direkt në degën e katërt, në tunelin nën rrugën magjistrale, sot jemi të detyruar të mbyllim bajpasin e kësaj dege deri në sanimin e plotë. Ndërkohë, mund të përdoret pa pengesa uji nga faza e parë dhe faza e dytë. Tubacioni i vjetër (ujësjellësi industrial) po ashtu nuk mund të përdoret sepse ka një defekt në fshatin Sllupçan, pranë një shtëpie private e cila po përmbytet. Pas sanimit të defektit do të lëshohet menjëherë në punë bajpasi i degës së katërt për furnizimin e NP ‘Ujësjellësi'”, thuhet në shkresën zyrtare.
Siç potencojnë nga “Ujësjellësi”, gjatë ditës së sotme është uluar dukshëm sasia e ujit të patrajtuar që mbërrin në stacionin e filtrimit.
Nga ndërmarrja konfirmojnë se tashmë kanë vënë në funksion të gjitha resurset e tyre vetjake me qëllim që të sigurojnë furnizim sa më normal me ujë të pijshëm. Megjithatë, gjatë orëve në vijim mbeten të mundshme ndërprerjet në pjesët e larta të qytetit dhe rënia e presionit në zonat më të ulëta.
Furnizimi me ujë pritet të normalizohet menjëherë pas sanimit të defekteve në tubacionet kryesore.

