LAJME

MPB: Arestohet shoferi i (SOZR) pranë Qeverisë për ryshfet

Një punonjës i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SOZR) pranë Qeverisë është arrestuar nga policia nën dyshimin për marrje ryshfeti, informon tvfesta.mk

Sipas konfirmimit nga Ministria e Punëve të Brendshme (MBP) për mediat vendore, i arrestuari është personi me iniciale D.C., i cili u kap në flagrancë gjatë marrjes së një shume parash të cilat kishin qenë të shënuara paraprakisht nga organet e rendit.

Aksioni është ndërmarrë nga Njësiti për Krim Financiar pranë Sektorit të Hetimeve Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, në koordinim me Prokurorinë Publike, pas një denoncimi të bërë nga një qytetar.

Policia bëri të ditur se pas dokumentimit të plotë të lëndës, ndaj të dyshuarit do të ngrihet kallëzimi përkatës penal.

Arrestimi vjen në një kohë kur në opinion po qarkullojnë informacione se zyrtari i ndaluar shërbente si shofer personal i Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev.