SPORT

Bashkimi e mposht Skopjen si mysafir, siguron pikët e para të këtij sezoni

Në ndeshjen e vetme të luajtur sot në kuadër të xhiros së 6-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë (LPMF), në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë qendrës stërvitore të FFM-së, Bashkimi ka shënuar fitore surprizë me rezultatin 1-2 në udhëtim ndaj Skopjes, duke arritur kështu te pikët e para për këtë edicion.

Në një ndeshje me shumë tensione në fushë dhe dëshirë të hapur për fitore nga të dyja palët, mysafirët kaluan në epërsi me golin e Da Silvës në minutën e 28-të.

Pas një tjetër gabimi në mbrojtjen e Skopjes në minutën e 62-të, Bashkimi thelloi epërsinë në 0-2 përmes golit të Adis Muratit.
Në minutën e 69-të, Skopje arriti të ngushtojë rezultatin. Një penallti u fitua nga Kristijan Nikolovski, ndërsa realizues i sigurt për vendasit ishte Adem Ali. Në vazhdim, shkupjanët patën mundësi edhe për barazim, por disa raste të krijuara mbetën të pashfrytëzuara.