KUMANOVË

Shfaqja “Nëna” nga Gjilani triumfon në edicionin e III-të të “KU’fest” në Kumanovë

Është mbyllur me sukses edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Teatrit “KU’fest” në Kumanovë. Në natën përmbyllëse gala, juria e festivalit shpalli fituesit e këtij edicioni, duke kurorëzuar shfaqjen “Nëna” nga Teatri i Gjilanit me çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë, informon tvfesta.mk

Gjatë pesë netëve me radhë (1–5 shtator), Kumanova u kthye në kryeqendër të artit skenik ballkanik, ku garuan trupa e performanca me nivel të lartë artistik.

Suksesi i Teatrit të Gjilanit nuk u ndal vetëm te çmimi kryesor. Nga kjo trupë, Erson Zymberi u nderua me çmimin për Regjinë më të mirë, ndërsa Aurita Agushi rrëmbeu çmimin si Aktorja më e mirë në rol kryesor për interpretimin e saj në të njëjtën shfaqje.

Çmimi i veçantë për Aktorin më të mirë të festivalit “Sefedin Nuredini” i takoi aktorit Shkëlqim Islami, për rolin e tij spikatës në shfaqjen “Rinoqerontët” nga Teatri Shqiptar i Shkupit.

Fituesit sipas kategorive:

Shfaqja më e mirë (Çmimi kryesor): “Nëna” (Teatri i Gjilanit)

Regjia më e mirë: Erson Zymberi – “Nëna” (Teatri i Gjilanit)

Aktori më i mirë i festivalit (Çmimi “Sefedin Nuredini”): Shkëlqim Islami – “Rinoqerontët” (Teatri Shqiptar, Shkup)

Aktorja më e mirë në rol kryesor: Aurita Agushi – “Nëna” (Teatri i Gjilanit)

Aktori më i mirë në rol kryesor: Miroslav Petković – “Xhaxhi Tufa” (Teatri i Kumanovës – Drama Maqedone)

Aktorja më e mirë në rol dytësor: Gentiana Ramadani – “Rinoqerontët” (Teatri Shqiptar, Shkup)

Aktori më i mirë në rol dytësor: Valon Nuhiu – “I vetëm në perëndim” (Teatri i Qytetit, Preshevë)

Organizatorët vlerësuan se edhe ky edicion dëshmoi forcën e teatrit si një gjuhë universale që bashkon kulturat dhe artistët e rajonit, duke lënë mbresa të mëdha te publiku artdashës kumanovar.