Një 39-vjeçar nga Kumanova është arrestuar gjatë fundjavës në lagjen “Pero Çiço”, pasi ka refuzuar identifikimin dhe alkotestimin, si dhe është sjellë në mënyrë agresive ndaj nëpunësve policorë, informon tvfesta.mk
“Më 30.08.2026 në ora 02:40 në rrugën “Gjorçe Petrov” në Kumanovë, nëpunësit policorë nga SPB Kumanovë i kanë hequr lirinë A.E.(39) nga Kumanova”, njoftojnë nga Sektori i Punëve të Brendshme.
Siç shtojnë nga policia, gjatë një kontrolli në komunikacion, nëpunësit policorë kanë ndaluar një veturë udhëtarësh “Nissan” me targa të Kumanovës, e cila drejtohej nga A.E., me ç’rast ai ka refuzuar të japë dokumente për identifikim dhe t’i nënshtrohet alkotestit, ndërkohë që është sjellë në mënyrë agresive ndaj nëpunësve policorë që po kryenin veprime zyrtare.
– A.E. është dërguar në stacionin policor dhe nga kontrollet e kryera është konstatuar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit, respektivisht se ka pasur 1.57 promilë alkool në gjak, shtojnë nga policia.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, siç thuhet në kumtesë, ndaj tij do të ngritet kallëzim përkatës./tvfesta

