Fusha e blertë e stadiumit ka rezervuar momente emocioni dhe mirënjohjeje të thellë për një nga emrat më të mëdhenj të futbollit vendor. Në kuadër të xhiros së 5-të të Ligës së Parë Futbollistike, në ndeshjen mes KF Bashkimit dhe Shkëndijës së Haraçinës, klubi nga Kumanova ka organizuar një ceremoni të veçantë për të nderuar legjendën e tij, Armend Alimin, informon tvfesta.mk
Edhe pse Alimi e mbylli përfundimisht karrierën e tij të bujshme si futbollist aktiv në fund të sezonit 2025/2026, klubi nuk ka mundur të lërë pa e shënuar këtë moment në shtëpinë e tij sportive, duke i dhënë lamtumirën zyrtare para tifozëve dhe opinionit sportiv.
Në mesazhin e përcjellë nga klubi gjatë këtij homazhi, është theksuar pesha e madhe që kapiteni ka pasur për fanellën:
“Sot, FC Bashkimi 1947 i dha lamtumirën si futbollist një prej legjendave tona, Armend Alimit. Kapiten, faleminderit për çdo moment, për çdo sakrificë dhe për gjithçka që ke dhënë për fanellën e Bashkimit.”
Drejtuesit e klubit kanë shprehur gjithashtu shpresën për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen e afërt, duke lënë të kuptohet se kontributi i Alimit për futbollin dhe klubin do të vazhdojë në forma të tjera.
“Të priftë e mbara në rrugëtimin tënd të ardhshëm profesional! Faleminderit për gjithçka, Armend Alimi – KAPITEN!” – ka përfunduar mesazhi prekës i KF Bashkimit./tvfesta

