MAQEDONI

Pajaziti akuzon mediat për censurë: Më ndërprenë intervistën pse s’u përshtatësha në agjendë

Gazetari dhe analisti Naser Pajaziti ka goditur ashpër atë që e cilëson si “mercenarizëm mediatik”, duke publikuar një përvojë personale ku u censurua gjatë një emisioni televiziv, informon tvfesta.mk

Pajaziti ka zbuluar se si drejtuesit e një televizioni i patën ndërprerë lidhjen direkte në mes të debatit, vetëm pse qëndrimet e tij nuk përkonin me linjën e tyre editoriale.

“Më kujtohet, s’ka shumë muaj, një TV më ftoi në një emision, duke u kyçur përmes lidhjes online. S’më lanë as 10 minuta, sapo panë se nuk u shkoja për shtati narrativës së tyre, e prenë lidhjen në mes dhe më falënderuan për kohën. U ndjeva keq, por e kuptova pak a shumë arsyen, por vetëm pak minuta më pas më erdhi një mesazh nga një mik që po e përcjellte debatin: ‘O burrë, ti nuk u hyn në punë, se nuk je në agjendën e tyne!’”, ka deklaruar Pajaziti.

Pajaziti ka përmbyllur reagimin e tij duke theksuar se ky rast shpërfaq hapur standardin e mjerueshëm dhe kontrollin e agjendave që ushtrohet sot në shumë televizione./tvfesta.mk