KUMANOVË

Mustafi i përgjigjet Dimitrievskit: Përplasje për milionat dhe prioritetet e Kumanovës

NJË KRYETAR, NJË DEKLARATË, SHUMË MANIPULIME

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, duhet t’u japë përgjigje qytetarëve dhe jo të përpiqet ta zhvendosë debatin nga thelbi i çështjes.

1. Mos e keqinterpretoni karakterin e konferencës

Konferenca për shtyp nuk ishte konferencë e BDI-së. Ajo u mbajt nga këshilltarët e koalicionit AKI. Përpjekja për ta paraqitur si një qëndrim të BDI-së është shmangie nga thelbi i debatit dhe përpjekje për ta orientuar opinionin në një drejtim tjetër.

2. Qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën

Në varrezat ortodokse ku planifikohet renovimi i morgut nuk është i varrosur asnjë shqiptar apo mysliman. Atëherë pse krijohet përshtypja se bëhet fjalë për një investim që u shërben të gjithë qytetarëve?

Nuk është çështje përkatësie fetare. Është çështje e transparencës dhe e mënyrës se si shpenzohen paratë publike.

3. Ne nuk jemi kundër renovimit

Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Nuk kemi thënë se jemi kundër renovimit të morgut. Kundërshtojmë shpenzimin marramendës prej 600 mijë eurosh për këtë projekt.

Pyetja është e thjeshtë: A është kjo mënyra më e arsyeshme për t’i shpenzuar paratë e qytetarëve në një kohë kur qyteti përballet me probleme të shumta?

4. Po morgu në varrezat myslimane ku varrosen shqiptarët?

Morgu në varrezat myslimane, ku varrosen shqiptarët e Kumanovës, është ndërtuar me vetëkontribut dhe pa ndihmë institucionale.

A nuk meriton edhe kjo një përgjigje nga kryetari?

A janë të gjithë qytetarët të barabartë kur bëhet fjalë për investimet publike?

5. Kredia nuk është para falas

Paratë e kredisë, pavarësisht nëse merren nga Komuna apo përmes institucioneve të tjera, në fund të fundit janë detyrim që rëndon mbi qytetarët dhe mbi buxhetet e së ardhmes.

Borxhi që merret sot do të paguhet nesër. Dhe atë borxh do ta paguajnë edhe gjeneratat që sot nuk kanë asnjë mundësi të vendosin për të.

Prandaj çdo euro e marrë hua duhet të ketë arsyetim të fortë, prioritet të qartë dhe interes të drejtpërdrejtë për qytetarët.

6. Ku janë projektet që qyteti i pret prej vitesh?

Nëse Komuna ka mundësi të hyjë në borxhe për projekte të tilla, atëherë pse nuk prioritizohen problemet e infrastrukturës që prekin çdo ditë mijëra qytetarë?

Ku është rrethrrotullimi te Tregu, të cilin kryetari e premtoi që në mandatin e parë?

Ku janë projektet që do ta lehtësonin trafikun, do ta përmirësonin infrastrukturën dhe do t’i zgjidhnin problemet reale të qytetit?

Këto janë pyetjet që duhet të marrin përgjigje.

Sepse, sipas kryetarit, të gjithë manipulojnë, vetëm ai jo. Të gjithë bëjnë poena politikë, vetëm ai jo.

Por qytetarët nuk janë naivë.

Kush kërkon 600 mijë euro nga paratë publike, duhet të japë llogari për çdo euro. Kush merr kredi në emër të qytetarëve, duhet të tregojë pse ajo kredi është prioritet. Dhe kush premton projekte për vite me radhë, duhet të tregojë pse ato ende nuk janë realizuar.

Kumanova nuk ka nevojë për deklarata që e mjegullojnë debatin. Ka nevojë për transparencë, prioritete dhe përgjegjësi.

Kryetar, më pak manipulim dhe më shumë përgjigje. Qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën.!