MAQEDONI

Ministri Hoxha hapi ‘MEF 2026’,bën thirrje për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër në rajon

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, kishte paraqitje në hapjen e Forumit Energjetik të Maqedonisë ‘MEF 2026’, i cili këtë vit mbahet si ngjarje e organizuar në partneritet zyrtar me nismën “Road to COP31”

Në fjalimin e tij, ministri Hoxha theksoi se siguria energjetike dhe qëndrueshmëria ndaj ndryshimeve klimatike janë sot sfida të lidhura ngushtë mes vete dhe nënvizoi se Forumi paraqet një platformë të rëndësishme për hapjen e çështjeve kyçe dhe për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për tranzicionin energjetik.

“Ndryshimet klimatike tashmë po i ndiejmë përmes thatësirave, zjarreve, valëve të të nxehtit dhe rritjes së pasigurisë energjetike. Prandaj, sot nuk flasim vetëm për strategji, por për sigurinë, stabilitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve”, deklaroi ministri Hoxha.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj Agjendës së Gjelbër dhe objektivave klimatike evropiane, por se përmbushja e tyre kërkon bashkëpunim, investime dhe veprim të përbashkët. Sipas tij, MEF ka një rëndësi të veçantë sepse krijon hapësirë për bashkëpunim rajonal përmes projekteve konkrete.

“Ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të mos jetë vetëm pjesë e diskutimeve për të ardhmen klimatike, por edhe pjesëmarrës aktiv në zgjidhje. Nevojiten vendime të guximshme dhe të përgjegjshme, shndërrimi i politikave në investime dhe realizimi i vizionit për tranzicionin e gjelbër në një realitet që do ta ndiejnë të gjithë qytetarët”, theksoi ministri.

Në fund të fjalimit, ministri Hoxha shprehu bindjen se rekomandimet e Forumit të këtij viti do të japin një kontribut të rëndësishëm për agjendën globale klimatike dhe procesin e përgatitjes për COP31.