MAQEDONI

Arben Fetai jep dorëheqje nga posti i Zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë

Arben Fetai ka njoftuar se i ka dorëzuar Kryeministrit dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë, duke i dhënë fund angazhimit të tij dyvjeçar në këtë funksion qeveritar.

Në njoftimin e tij publik, Fetai theksoi se gjatë mandatit ka punuar për avancimin e reformave që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, duke e cilësuar këtë mision si një sfidë të rëndësishme për institucionet e vendit.

Ai pranoi se mbetet ende shumë punë për t’u bërë, por u shpreh i bindur se ka kontribuar në vendosjen e themeleve të nevojshme për vazhdimin e reformave në të ardhmen.

“Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze”, deklaroi Fetai.

Në mesazhin e tij, ai falënderoi bashkëpunëtorët, ekipin e tij, partnerët ndërkombëtarë, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë ushtrimit të detyrës.

Fetai theksoi se angazhimi në shërbim të interesit publik do të vazhdojë edhe pas largimit nga funksioni qeveritar, duke nënvizuar se integriteti, kuraja dhe mbrojtja e së mirës së përbashkët mbeten vlera që do ta udhëheqin edhe në të ardhmen.