Këtë vit shënojmë 45-vjetorin e demonstratave të fuqishme studentore të vitit 1981, demonstrata që nisën si zë i studentëve, por shumë shpejt u bënë zë i gjithë popullit për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar. Ato ditë të marsit dhe prillit shënuan një kthesë të madhe historike dhe u bënë themeli i proceseve që më pas do të çonin edhe në rrënimin e perandorisë Jugosllave.
11 dhe 16 marsi, si dhe 1 dhe 2 prilli, janë data të shënuara në historinë tonë kombëtare. Janë ditë kur rinia jonë, studentët dhe punëtorët, u ngritën me guxim dhe ideal për të kërkuar të drejtat e mohuara dhe për të hapur rrugën e lirisë. Nga ato demonstrata filloi një rrugë e gjatë sakrifice, përpjekjeje dhe qëndrese, një rrugë që kaloi nëpër shumë sfida, por që kurrë nuk u ndal.
Demonstratat e vitit 1981 nuk ishin vetëm protesta studentore, por ishin një lëvizje e madhe popullore që zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe e ktheu çështjen tonë në një proces të pakthyeshëm historik. Ato demonstrata e dëshmuan se kur një popull bashkohet për një ideal të drejtë, asnjë perandori nuk mund ta ndalë rrugën e tij drejt lirisë, që edhe u jetësua me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Në këtë jubile të 45-vjetorit, me respekt dhe mirënjohje i kujtojmë të gjithë studentët, veprimtarët, punëtorët, patriotët, të burgosurit politikë dhe të rënët që u bënë pjesë e atij orteku të madh kombëtar. Sakrifica, guximi dhe idealizmi i tyre mbeten frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë dhe për rrugën tonë kombëtare drejt barazisë, dinjitetit, përparimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës.

