MAQEDONI

𝐁𝐀𝐒𝐇𝐊Ë𝐒𝐈𝐀 𝐅𝐄𝐓𝐀𝐑𝐄 𝐈𝐒𝐋𝐀𝐌𝐄 𝐍Ë 𝐌𝐁Ë𝐒𝐇𝐓𝐄𝐓𝐉𝐄 𝐓Ë 𝐊𝐌𝐒𝐇𝐙-𝐬ë 𝐃𝐇𝐄 𝐗𝐇𝐀𝐌𝐈𝐕𝐄 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑𝐄 𝐍Ë 𝐙𝐕𝐈𝐂Ë𝐑

Bashkësia Fetare Islame e RMV-së shpreh mbështetjen e saj të plotë për Komunitetin Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) dhe për iniciativat e tyre në ndërtimin e xhamive si institucione të qëndrueshme fetare, arsimore dhe kulturore.

Debati i fundit, i shoqëruar me gjuhë stigmatizuese dhe reduktime të njëanshme, nuk i shërben një analize serioze, por cenon drejtpërdrejt dinjitetin e një komuniteti që ka ndërtuar me mund dhe sakrificë strukturat e veta në diasporë. Liria e mendimit dhe e shprehjes është vlerë demokratike, por ajo nuk mund të justifikojë diskursin përçmues ndaj besimit dhe institucioneve të tij.

Xhamitë e shqiptarëve në Zvicër janë institucione autentike, të themeluara dhe të financuara nga vetë komuniteti shqiptarë. Ato nuk janë vetëm vende adhurimi, por hapësira ku kultivohet gjuha shqipe, mësohen vlerat kulturore dhe formohen brezat e rinj në frymën e përgjegjësisë dhe përkatësisë. Në mungesë të strukturave të tjera të organizuara, xhamia ka dëshmuar të jetë një nga mekanizmat më efektivë për ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar në diasporë.

Po ashtu, është fakt i verifikueshëm se këto qendra kontribojnë edhe në arsim dhe mirëqenie shoqërore, përfshirë organizimin e aktiviteteve edukative dhe angazhimin në jetën publike, duke dëshmuar se roli i tyre shkon përtej dimensionit fetar.

Xhamitë frekuentohen nga besimtarë të të gjitha profileve, përfshirë intelektualë dhe profesionistë, të cilët kontribojnë aktivisht në shoqëritë ku jetojnë.

Bashkësia Fetare Islame e RMV-se, vlerëson lart solidaritetin dhe pjekurinë institucionale të mërgatës shqiptare, e cila ka ndërtuar këto qendra jo vetëm si objekte, por si baza të qëndrueshme të jetës shoqërore.

Thërrasim për një qendrim të përgjegjshëm, të mbështetur në fakte dhe respekt reciprok, duke refuzuar çdo formë paragjykimi apo përçarjeje.

Ruajtja e identitetit fetar, kombëtar dhe kulturor nuk është në kundërshtim me integrimin, përkundrazi, është themel i fuqishëm për një integrim të shëndetshëm, të vetëdijshëm dhe dinjitoz në shoqëritë moderne.

𝐊𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢 𝐢 𝐁𝐅𝐈-𝐬𝐞
𝐑𝐞𝐢𝐬𝐮𝐥 𝐔𝐥𝐞𝐦𝐚 𝐇. 𝐇𝐟𝐳. 𝐒𝐡𝐚𝐪𝐢𝐫 𝐞𝐟. 𝐅𝐞𝐭𝐚𝐢