Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 do të rikonstruohen pesë objekte sportive në shkollat fillore dhe të mesme në disa komuna të vendit, me qëllim krijimin e kushteve më të sigurta, moderne dhe funksionale për nxënësit, raporton tvfesta.mk
Shkollat ku do të realizohen punimet infrastrukturore janë:
SHFK „Imri Elezi“ – Çair
SHFK „Gjergj Kastrioti Skënderbeu“ – fshati Poroj, Tetovë
SHFK „Said Najdeni“ – Dibër
SHFK „Naim Frashëri“ – Kumanovë
SHMK „Josip Broz Tito“ – Qendër, Shkup
Përmes një deklarate, Azizi theksoi se ky projekt është pjesë e një cikli më të gjerë investimesh në infrastrukturën sportive shkollore. Sipas saj, deri më tani 10 objekte sportive janë rehabilituar plotësisht, ndërsa në 15 objekte të tjera punimet ndodhen në fazën përfundimtare.
„Sporti nuk është vetëm lojë, por një investim në zhvillimin e çdo fëmije. Ne jemi të vendosur të krijojmë shkolla më të mira, ambiente më të sigurta dhe më shumë mundësi për gjeneratat e reja. Po investojmë në fëmijët tanë, po investojmë në të ardhmen,“ deklaroi zëdhënësja Azizi. /tvfesta

