Vaksinimi kundër gripit sezonal edhe këtë vit do të fillojë në periudhën e zakonshme, nga gjysma e dytë e tetorit, njoftoi Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, raporton tvfesta.mk
“Në tri sezone të fundit vaksinimi sezonal te ne ka filluar në periudhën prej 16 deri më 25 tetor. Ministria e Shëndetësisë do të jetë e gatshme që vaksinimi të fillojë edhe këtë sezon në të njëjtën periudhë. Nga 80.000 dozat e planifikuara, 56.000 vaksina tashmë janë siguruar ose janë në procedurë të sigurimit, ndërsa aktivitetet për sigurimin e sasive të mbetura po vazhdojnë”, theksoi Klekovski.
Vaksina pa pagesë është e destinuar për grupet prioritare: personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësorë. Qytetarët do të informohen me kohë për fillimin e vaksinimit dhe mënyrën e caktimit të terminëve.
Ministri informoi se këtë vit Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka ndryshuar të gjitha tri llojet (stamet) në përbërjen e rekomanduar të vaksinës kundër gripit sezonal për hemisferën veriore, për këtë arsye është shkaktuar vonesë në prodhim te prodhuesit në nivel global.
“Për këtë shkak, në shumë vende të Evropës dhe rajonit fillimi i vaksinimit pritet të bëhet në nëntor. Në shtetin tonë tenderi për furnizimin e vaksinave zakonisht shpallet në periudhën qershor–gusht, pas publikimit të llojeve nga OBSH. Në tenderin e shpallur këtë vit nuk u paraqit asnjë ofertues. Ministria menjëherë ndërmori masa për sigurimin e vaksinave përmes rrugëve të tjera”, shpjegoi Klekovski. /tvfesta

