Në kuadër të muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, i njohur ndryshe si “Tetori Rozë”, Shkolla Fillore Komunale “Jeronim De Rada” në fshatin Çerkez ka organizuar një aktivitet të rëndësishëm sensibilizues me fokus promovimin e kujdesit për shëndetin, parandalimin dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje, raporton tvfesta.mk
Pjesë e këtij aktiviteti ishte mjekja e ftuar, Dr. Sherimete Asllani, radiologe e specializuar, e cila mbajti një ligjëratë mjaft informuese për të pranishmit. Gjatë takimit, ajo ndau njohuri dhe këshilla me vlerë mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, diagnostikimin në faza të hershme dhe domosdoshmërinë e një kujdesi të vazhdueshëm për shëndetin e grave.
Aktiviteti u pasurua edhe nga angazhimi i nxënëseve të klasave të teta dhe të nënta, të cilat përmes veprimeve të tyre simbolike përcollën mesazhin se kujdesi për veten është dashuri për jetën.
Stafi i shkollës shprehu mirënjohje dhe falënderime të sinqerta për Dr. Sherimete Asllanin për praninë dhe kontributin e saj të çmuar, si dhe për të gjithë nxënësit e pjesëmarrësit që ndihmuan në realizimin e kësaj kauze, duke përmbyllur me apelin që të gjithë të kujdesen për shëndetin dhe të mbështesin njëri-tjetrin. / tvfesta

