KUMANOVË

Huzeir Mustafa kërkon bashkëpunim real mes Kumanovës, Preshevës dhe Kosovës

Këshilltari komunal nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Huzeir Mustafa, gjatë fjalës së tij në Këshillin e Komunës së Kumanovës, ka hedhur akuza të forta ndaj udhëheqësisë komunale për qasje sipërfaqësore dhe politike “sa për sy e faqe” sa i përket bashkëpunimit me komunat shqiptare të rajonit, informon tvfesta.mk

Mustafa theksoi se marrëveshjet e pretenduara me komuna si Gjilani, Malisheva apo Durrësi kanë mbetur vetëm në letër ose janë kufizuar në ndonjë vizitë protokollare pa asnjë projekt konkret ekonomik apo kulturor për qytetarët.

“Vlerësoj se bashkëpunimi nuk duhet të jetë vetëm thjesht sa për sy e faqe, të bëhet një marrëveshje në një periudhë të caktuar dhe pastaj të ngelet si e tillë… Përveç ndonjë vizite protokollare, nuk ka asgjë konkrete prej viteve me radhë.” theksoi Mustafa, raporton tvfesta.mk

Këshilltari Mustafa rikujtoi se Kumanova është e rrethuar nga komuna shqiptare në një rreze prej më pak se 100 kilometrash (si Ferizaj, Gjilani, Vitia, Kamenica, Presheva e Bujanoci), me të cilat qytetarët kumanovarë kanë lidhje të forta familjare, biznesore dhe kulturore.

“Shohim një bojkot të arsyeshëm nga qytetarët shqiptarë në festën e qytetit. Në ballkonin e Komunës së Kumanovës vendosen flamujt e delegacioneve prezente, ndërsa aty nuk është flamuri shqiptar… Bashkëpunimi real me komunat shqiptare do të zgjidhte edhe këtë problem.”

Këshilltari i AKI-së i bëri thirrje udhëheqësisë së komunës që në programin e punës për vitin 2027 të parashikojë bashkëpunime të mirëfillta me 3-4 komuna shqiptare, me qëllim që edhe shqiptarët e Kumanovës të ndjehen të përfaqësuar denjësisht. /tvfesta