Në podcastin “Fol” me gazetarin Nexhat Aqifi në TV Festa Kumanovë, Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka bërë të ditur një arritje historike sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë në vend.
Sulejmani theksoi se që nga miratimi i ligjit për provimin e jurisprudencës në vitin 1968 e deri më sot, ky provim është zhvilluar ekskluzivisht vetëm në gjuhën maqedonase. Përmes zgjidhjes së re që po ofrohet, për herë të parë kandidatëve shqiptarë u mundësohet dhënia e këtij provimi në gjuhën e tyre amtare.
Gjatë intervistës, zëvendësministri sqaroi prapaskenat politike dhe hapat e ndërmarrë për të arritur deri te kjo zgjidhje. Ai vuri në dukje se për shkak të pengesave të vërejtura nga ish-ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, koalicioni VLEN kërkoi marrjen e drejtimit të këtij resori gjatë rikonstruksionit të qeverisë.
“Për këtë arsye, kërkesa e VLEN-it ishte që ta marrë në menaxhim Ministrinë e Drejtësisë dhe të merret në mënyrë direkte me zgjidhjen e kësaj problematike. Dhe kështu ndodhi,” deklaroi Sulejmani.
Me ardhjen e profesorit Jeton Shasivari në krye të Ministrisë së Drejtësisë – i cili më parë kishte qenë pjesë e drejtpërdrejtë e hartimit të zgjidhjes – procesi ka marrë dinamikë të menjëhershme.
Sipas Sulejmanit, ministri Shasivari ka realizuar takime me dekanët e fakulteteve juridike dhe me përfaqësuesit e studentëve për t’u prezantuar zgjidhjen konkrete që do t’u mundësojë studentëve shqiptarë të juridikut ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. /tvfesta

